“ANA DHE ZEFI”

Autor: Ad de Bont

Regjisor: Erson Zymberi

 

Dramaturgjia dhe përkthimi: Doruntina Basha

Skenografia dhe kostumet: Bekim Korça

Kompozitor: Trimor Dhomi

Aktorët:

 

Verona Koxha

Ernest Zymberi

Irena Cahani

Kushtrim Qerimi

Ana dhe Zefi

Shfaqja “Ana dhe Zefi” vjen e konceptueme dhe e shtjellueme në formatin e nji laboratori hulumtues, ku jeta dhe vdekja bashkëdyzohen a ngjizen, tue humbë kësisoji farën e vetë nëpërmjet mjegullës dhe avullit helmues, ku dy jetë a dy vdekje njerëzish dhe fatet e tyre gërshetohen e përplasen mes veti tue sendërtue, shtjellue e shpërfaq’ veprimet famëkeqe të kohës.

“Para se m’e gjujtë, bani za. Kujdesu mos m’e lanë të plagosun. Vraje me nji plumb. Ktheje trupin n’shpinë. Vendose pushkën te kryet e tij”

Ky rregull a ky përshkrim, në dukje si udhëzues a doracak mbi vrasjen, i nxjerrun nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, në shfaqje merr trajtën e nji thirrjeje ushtarake për nji vrasje të domosdoshme, pa mendue hiq për pasojat e saj.

Zef Bunga, pas ngujimit, si pasojë e gjakmarrjes, vritet dhe në botën e përtejmë takon Ana Frankun, “vajzën e famshme”, t’ njohun ma shumë prej ditarit të saj, e cila poashtu ka qenë e ngujueme, tu u fshehë. Shfaqja tërheq paralelen e ngujimit të dy personazheve, të cilat pamvarësisht vendodhjes së tyne gjeografike dhe botëkuptimeve të tyre, bien pre e veprimeve të të rriturve.

"Unë jam kurreshtare për vdekjen", thotë Ana, e cila edhe pse 15 vjeçe, përballet me fatin e saj me plot dinjitet. Shfaqja ofron nji përshkrim të prekshëm të dy të rinjëve që kcejnë dhe luajnë në të panjohurën përmes njohjes dhe dashunisë krejt në fund.

Hija e gjakmarrjes, e cila njashtu si “Hijet” e Ibsenit, sorollatet në shtëpinë e Besjan Bungës, babës së Zefit, tu krijue korridore labirintash e kurthash pa dalje të cilat, të nxituna fillimisht prej dokeve e zakoneve tona e tevona prej nanës së Zefit, Marës, krijojnë edhe ma shumë zingjirë vrasjesh gjegjësisht këmisha qi lypin gjak.

“Jashtë na duhet t’përballemi me vdekjen e mrena veç t’andrrojmë”.

Një shfaqje për ata qi andrrojnë dhe për ata qi vrasin andrrat.

Erson Zymberi, regjisor


Galeria


Video